Komuna e Kamenicës shpërndan mekanizma bujqësor për fermerët
Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Kamenicës ka shpërndarë mekanizmat bujqësor për fermerët e kësaj komune. Mekanizmat bujqësor të cilët janë shpërndarë janë: 32 spërkatëse për kultura lavërtare dhe 25 shpërndarëse të plehut artificial.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka uruar fermerët për përfitimin e këtij mekanizmi bujqësor, duke potencuar se komuna do të jetë gjithmonë në mbështetje të tyre.
Para shpërndarjes së mekanizmave bujqësor, Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka mbajtur edhe një temë trajnuese me fermerët për t’i informuar për mënyrën se si përdoren pesticidet me këto mjete.
Gjatë këtij takimi prezent ishte edhe drejtori i kësaj drejtorie, Naim Arifi.
Ai ka thënë se brenda dy viteve Komuna e Kamenicës është munduar sadopak t’iu ndihmoj fermerëve, duke mbështetur mbi 255 fermerë në sektorë të ndryshëm nga kjo komunë e organizatat, dhe 70 grante nga Ministria e Bujqësisë.
Ky projekt është financuar 70 për qind nga Komuna e Kamenicës dhe 30 për qind nga fermerët, vlera e gjithë projektit është 28 mijë e 680 euro (28 680 euro).
/Epoka e re/