Komuna e Klinës dhe KFOR-i pajtohen për vazhdimin e bashkëpunimit
Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka pritur të mërkurën në takim komandantin e Regjionit të Perëndimit të KFOR-it, kolonel Natale Gatti, me të cilin kanë diskutuar për të arritura, prioritetet dhe sfidat me të cilat përballet Komuna e Klinës.
Kryetari Elezaj ka falënderuar kolonelin Gatti për vizitën e realizuar dhe për bashkëpunimin e realizuar ndërmjet KFOR-it dhe Komunës së Klinës, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm për ofrimin e sigurisë.
Më tutje, Elezaj e ka informuar kolonelin Gatti për të arriturat që ka pasur Komuna e Klinës gjatë vitit që lamë pas, por edhe për prioritetet dhe sfidat që e presin gjatë vitit 2020.
Ndërsa koloneli Gatti, duke uruar kryetarin Elezaj një vit të mbarë në aspektin profesional e personal, ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet KFOR-it dhe Komunës së Klinës do të vazhdojë.
Në fund të takimit, koloneli Gatti ia ka dhuruar kryetarit Elezaj simbolin e KFOR-it të regjionit të perëndimit.
/Epoka e re/