Komuna e Klinës filloi shpërndarjen e serrave për fermerë
Komuna e Klinës ka vazhduar implementimin e programit për subvencione në bujqësi, duke shpërndarë 49 serra për fermerë përfitues.
Për të parë nga afër implementimin e këtij projekti, drejtori i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Naser Morina, ka vizituar fshatrat Çabiq dhe Qupevë, ku ka parë nga afër montimin e serrave.
Me këtë rast, drejtori Morina ka uruar përfituesit e këtij projekti dhe ka theksuar se fokusi i qeverisjes komunale është që të rritet mbështetja e komunës ndaj fermerëve, me qëllim që të krijohen mundësi më të mira dhe lehtësira financiare për bujqit.
Morina ka thënë se këtë vit janë shpërndarë 49 serra, ndërsa në vitin tjetër synohet që numri i tyre të rritet dukshëm.
Ndarja e serrave është bërë nëpërmjet thirrjes publike për aplikim nga ana e fermerëve.
/Epoka e re/