Komuna e Malishevës bëhet gati për pritjen e mërgimtarëve dhe ofrimin e shërbimeve
Fundi i muajit dhjetor dhe fillimi i muajit janar, është periudha kur mërgimtarët vijnë në vendlindje për pushime dhe rrjedhimisht në administratën komunale shtohet edhe vëllimi i punëve, për shkak të nevojave që i kanë mërgimtarët tanë, për nxjerrjen e dokumenteve të ndryshme.
Për këtë qëllim, Komuna e Malishevës është e përgatitur për pritjen dhe ofrimin e shërbimeve për mërgimtarët pa asnjë pengesë. Kështu është thënë të hënën në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve të cilën e ka mbajtur kryetari Malishevës, Ragip Begaj.
Sipas Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme, Komuna e Malishevës është e përgatitur maksimalisht për ofrimin e shërbimeve të nevojshme për mërgimtarët në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit dhe për këtë qëllim, janë marrë të gjitha masat.
Në kuadër të këtyre masave edhe oborri i komunës pritet të jetë tërësisht në shërbim të mërgimtarëve. “Në festat e fundvitit, rritet edhe konsumi i mallrave dhe me qëllim të ofrimit të mallrave të sigurta për përdorim, Drejtoria e Inspektoratit i ka marrë të gjitha masat për mbikëqyrjen e rreptë të dyqane dhe marketeve”, është thënë në njoftimin e Komunës së Malishevës.
/Epoka e re/