Komuna e Malishevës dhe KDI-ja kanë filluar mbajtjen e dëgjimeve publike për buxhet
Komuna e Malishevës në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), kanë filluar mbajtjen e takime me qytetarë, në vendbanime, në kuadër të mbajtjes së dëgjimeve publike, për hartimin e projekt buxhetit 2020-2022, me theks të veçantë për hartimin e buxhetit për vitin 2020.
Të mërkurën janë mbajtur takime me banorët në fshatrat Temeqinë dhe Kërvasari.
Përmes këtyre takimeve me qytetarë nëpër vendbanime, synohet që të arrihet nxjerrja e nevoja dhe prioriteteve që kanë vendbanimet, në mënyrë që përmes kërkesave të marra drejtpërdrejt nga qytetarët dhe grupet tjera të interesit, të hartohen prioritetet për investimet kapitale që do të parashihen për vitin 2020, por edhe për prioritetet për tri vitet në vazhdim, sipas qarkores buxhetore.
Në këto takime, bashkë me zyrtarët e KDI-së ka marrë pjesë edhe drejtori komunal për buxhet dhe financa, Valon Mazreku, i cili i ka sqaruar qytetarët për mundësitë buxhetore që parashihen, në mënyrë të veçantë për investimet kapitale.
Në këto takime, drejtori Mazreku i ka marrë të gjitha kërkesat e banorëve të këtyre dy fshatrave, ndërsa takimet do të vazhdojnë në ditët në vijim, në fshatrat dhe vendbanimet tjera dhe në fund të takimeve, do të hartohet edhe lista e investimeve kapitale, bazuar në kërkesat dhe prioritet që kanë qytetarët e Komunës së Malishevës.
/Epoka e re/