Komuna e Malishevës ka filluar mbajtjen e dëgjimeve publike për hartimin e buxhetit

10 gusht 2023 | 16:56

Komuna e Malishevës ka filluar organizimin dhe mbajtjen e dëgjimeve buxhetore për hartimin e projekt-buxhetit sipas Kornizës Afatmesme Buxhetore 2024-2026, me theks të veçantë për hartimin e buxhetit për vitin 2024.

Për këtë qëllim, të enjten janë organizuar katër dëgjime buxhetore me sektorët apo grupe të ndryshme të interesit, ku janë përfshirë kryetarët e këshillave lokale në Malishevë, arsimi, shëndetësia, bizneset dhe organizatat joqeveritare.

Draft-buxhetin komunal para të pranishmëve në këto takime e ka paraqitur drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, me zyrtarët e kësaj drejtorie, i cili i ka njoftuar me buxhetin e planifikuar për komunën e Malishevës.

Sipas drejtorit Thaçi, buxheti i planifikuar për vitin 2024 për komunën e Malishevës është rreth 20 milionë euro, ndërsa për investime kapitale janë të planifikuara 6.2 milionë euro, po ashtu i ka njoftuar për ndarjet e tjera buxhetore, si mallra dhe shërbime, subvencione dhe nga kategoritë e tjera buxhetore.

Pas njoftimit për buxhetin e planifikuar, pjesëmarrësit në këto dëgjime i kanë paraqitur kërkesat e tyre për hartimin e buxhetit, përkatësisht për orientimin e buxhetit të planifikuar për investime, në mënyrë që investimet të krijojnë mirëqenie dhe zhvillim për komunën e Malishevës dhe për këtë qëllim edhe janë duke u mbajtur këto dëgjime publike.

Në ditët në vijim dëgjimet apo konsultimet publike për hartimin e projekt buxhetit do të mbahen edhe nëpër fshatrat e komunës së Malishevës me qëllim të gjithëpërfshirjes së qytetarëve në hartimin dhe orientimin e buxhetit dhe investimeve për vitin 2024.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Klubi kampion i Kosovës në basketboll, Peja ka njoftuar përforcimin…