Komuna e Malishevës mbulon shpenzimet për shërbimet e varrimit
Duke u bazuar në vendimin e Kuvendit Komunal të Malishevës, të datës 4 prill të këtij viti, kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj dhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Malishevë, Xhevat Kryeziu, kanë nënshkruar marrëveshjen për mbulimin e shpenzimeve për shërbimet e varrit të personave të vdekur të cilët varrosen në territorin e Malishevës.
Sipas marrëveshjes, Këshilli i Bashkësisë Islame në Malishevë, obligohet që t’i kryejë shërbimet e varrimit, të cilat mbulohen me mjete buxhetore të komunës së Malishevës, ku përfshihet regjistrimi i rastit në librin amëz të të vdekurve, hapja e varrit, sigurimi i mjeteve tjera për varrin dhe kufomën, me kosto të përgjithshme prej 200 euro.
Komuna e Malishevës edhe vitin e kaluar i ka mbuluar shpenzimet për shërbimet e varrimit.