Komuna e Malishevës nderon tre personalitete me çmimin “Qytetar Nderi”
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit, të cilat mbahen nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, sot, në Kuvendin e Komunës së Malishevës u mbajt mbledhje solemne, më ç’rast janë shpallur “Qytetar Nderi” të Komunës së Malishevës, tre personalitete me vlera kombëtare;
- Xhemal Jashari, vëllai i Dëshmorit të Kombit, Ismet Jashari-Komandant Kumanova.
- Skënder Sinani, vëllai i Dëshmorit të Kombit, Tahir Sinani.
- Shpëtim Idrizi, Deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Në këtë ngjarje madhështore e tejet të rëndësishme për Komunën e Malishevës, veç drejtuesve të ekzekutivit dhe legjislativit të Komunës, kryetarit Ekrem Kastrati dhe kryesuesit Argjend Thaçi, të pranishëm ishin edhe familjarët, bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e personaliteteve që sot i nderoi Malisheva, si; kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kryetari i degës së OVL të UÇK-së, Metush Kryeziu, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale.
Në këtë ngjarje nderuese e festive, një fjalë rasti ka mbajtur, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili tha se, jam i lumtur e krenar që Malisheva po nderon personalitete nga treva të rëndësishme e me histori kombëtare, familjen e Komandant Kumanovës nga Kumanova, familjen e Komandant Tahir Sinanit nga Shqipëria, dhe simbolin e angazhimit për zgjidhjen e çështjes çame dhe Çamërisë në përgjithësi, z. Shpëtim Idrizi, të cilët sot i ka bashkuar për t’i nderuar e bashkë për të festuar, zemra e shqiptarisë, Malisheva, dhe ky është mesazhi më i mirë për festat e Nëntorit.
Ndjehem i lumtur e i përmbushur që nga momenti, kur anëtarët e Kuvendit Komunal, me votim unanim e përkrahen propozimin tim si Kryetar i Komunës, që për nderë të festave të nëntorit, Malisheva të nderojë e të shpallë qytetar nderi tri figura të rëndësishme te jetës publike nga gjeografia shqiptare, të cilët me angazhimet e tyre kanë lënë e vazhdojnë të lënë gjurmë patriotike në të mirën e kombit shqiptar, tha kryetari Kastrati.
Edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal, Argjend Thaçi, tha se, kjo seancë solemne përveç karakterit të shënimit të festës së flamurit dhe festave tjera të nëntorit, është e një rëndësie të veçantë, për faktin se me propozim të kryetarit Kastrati, ky Kuvend mori vendim, që me krenarinë më të madhe të nderoj tri figura të kombit shqiptar dhe t’i shpallë Qytetar Nderi të Komunës së Malishevës.
Gjithashtu, kryesuesi Thaçi tha se sot duhet të jemi bashkë dhe të bëjmë më të mirën për qytetarët tanë, vendin tonë dhe kombin tonë.
Ndërsa me nga një fjalë falënderimi të pranishmëve ju kanë drejtuar edhe tri personalitet që u nderuan me çmimin “Qytetar Nderi”.
Nderim Jashari, djali i Xhemal Jasharit, vëllait të heroit Ismet Jashari, e falënderoi nga zemra kryetarin Kastrati dhe të gjithë legjislativin e Komunës për çmimin Qytetar Nderi i Malishevës, ku mes tjerash tha se jam i nderuar si familje që dhamë kontribut në çlirimin e Kosovës dhe do të punojmë edhe në të ardhmen për atdheun tonë.
Ndërsa, Skënder Sinanin vëllai i heroit Tahir Sinani, tha se e ndiej vetën të nderuar nga Malisheva dhe Llapusha për çmimin Qytetarë Nderi. Porosia e dëshmorëve ndër breza po na përcjell, dhe sot ne e përcjellim përmes këtij nderimi me çmimin që na dhatë, që të vazhdojmë të bashkuar ta bëjmë një, Shqipërinë.
Deputeti i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, z. Shpëtim Idrizi, tha se, ndihem i privilegjuar dhe i nderuar të shpallëm ” Qytetar Nderi ” i Malishevës, me propozimin e kryetarit të Komunës së Malishevës, z. Ekrem Kastrati, por edhe më shumë jam i nderuar kur kam afër dy familje të dëshmorëve të kombit, Tahir Sinanit dhe Ismet Jashari- Kumanova, Skënder Sinanin dhe Xhemal Jasharin.
Historia e Kosovës është edhe historia e Çamërisë, unë çmimin Qytetarë Nderi i Malishevës e pranoi në saje të mbrojtjes së luftës së drejt të UÇK-së, që kam bërë në Parlamentin Evropian, tha deputetit shqiptar Shpëtim Idrizi.
Një fjalë rasti, në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK –së në Malishevë, mbajti edhe z. Metush Kryeziu, i cili e vlerësoj lartë ngjarjen e sotme, të nderimit të tri personaliteteve të rëndësishme të kombit, dhe në emër të gjithë veteranëve të UCK –së e falënderoj kryetarin Kastrati për këtë respekt e nderim që po i bën vlerave kombëtare.