Komuna e Malishevës nënshkruan kontratë dyvjeçare për grumbullimin e mbeturinave
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ushtruesi i shefit të prokurimit, Nuhi Shala, me bashkëpunëtorë të njësisë së “Ekoregjionit” në Malishevë, dhe drejtori nga Kompania Regjionale e Mbeturinave “Ekoregjioni” SH.A me seli në Prizren, Nehat Basha, kanë nënshkruar kontratën dyvjeçare për grumbullimin e mbeturinave dhe mirëmbajtjen e pastërtisë në hapësirat publike dhe objektet publike.
Me këtë rast, kryetari Begaj ka shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit dhe ka ofruar tërë potencialin që ka si në kapacitetet njerëzore dhe ato motorike, me qëllimin e vetëm që qytetarëve të Malishevës t’u krijohen hapësira dhe ambiente të pastra publike.
Begaj ka ftuar të gjithë qytetarët por edhe bizneset që së bashku të përkujdesen për ambient të pastër.
Kurse Kompania Regjionale e Mbeturinave “Ekoregjioni” SH.A me seli në Prizren, do të merret me të gjitha detyrat e përshkruara në specifikacionin nga Komuna e Malishevës: pastrimin, larjen dhe mirëmbajtjen e rrugëve, trotuareve të qytetit, grumbullimin e mbeturinave çdo ditë dhe transportin e tyre në gjithë territorin e komunës dhe hapësirat publike.
/Epoka e re/