Komuna e Malishevës u ndan 70 fermerëve makina mjelëse
Në kuadër të përkrahjes për bujqit lokal, Komuna e Malishevës ka ndarë 70 makina mjelëse për fermerët.
Nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka bërë me dije se sektori i bujqësisë do të vazhdojë të mbetet prioritet për qeverisjen komunale. “Bujqësia është prioritet i qeverisë komunale dhe këtë lloj të përkrahjes do ta keni edhe në vitet e ardhshme. Ju uroj që në rend të parë të keni shëndet dhe t’i gëzoni këto makina të cilat padyshim që ju nevojiten”, ka thënë Berisha gjatë ndarjes së makinave mjelëse për fermerët e Komunës së Malishevës.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Murat Hoxha, i cili gjithashtu i ka uruar fermerët, ka theksuar se drejtoria që drejton është duke u munduar që në vazhdimësi të siguroj përkrahje si në mekanizëm për fermerët ashtu edhe me subvencione tjera.
Ai ka pohuar se bujqësia vazhdon të mbetet fusha kryesore e zhvillimit ekonomik.
Sipas drejtorit Hoxha në këtë projekt janë përkrahur 70 fermerë ose pronarë të fermave të mëdha apo të vogla me makina mjelëse.Vlera totale e këtij projekti është 11 830 euro.
/Epoka e re/