Komuna e Malishevës ua vazhdon kontratat punëtorëve të mirëmbajtjes
Në ambientet e njësisë së kompanisë për menaxhimin e mbeturinave “Ekoregjoini” në Malishevë, të martën në mënyrë solemne u është vazhduar kontrata e punës edhe për gjashtë muaj 45 punëtorëve të cilët janë të angazhuar në mirëmbajtjen e ambientit në territorin e kësaj komune.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Milazim Morina, përgjegjësi i njësisë së “Ekoregjionit”, Sejdi Paçarizi dhe zyrtarët tjerë përgjegjës të kompanisë.
Me këtë rast, Begaj ka thënë se mirëmbajtja e ambientit ka rëndësi jetike për qytetarët e Malishevës.
“Mirëmbajtja dhe pastrimi i ambientit është jetë për të gjithë banorët, pra puna që ju bëni nuk është thjeshtë një vend pune për ju, por jetë për të gjithë banorët, në të gjitha vendbanimet e komunës sonë. Është viti i dytë që jeni të angazhuar dhe puna juaj ka treguar rezultat, prandaj edhe jemi angazhuar që të ju vazhdohen kontratat e punës në vazhdimësi, në mënyrë që kemi një ambient të pastër në të gjitha vendbanimet”, ka thënë Begaj.
Ndërsa përgjegjësi i njësisë për menaxhimin e mbeturinave “Ekoregjioni” në Malishevë, Sejdi Paçarizi, ka uruar punëtorët për kontratat e reja, duke thënë se qëllimi i kësaj kompanie është që të ofrojë shërbime të mira për qytetarët e kësaj komune.
“Puna e mirë që po bëni ju dhe ne të gjithë së bashku, ka bërë që kjo formë e angazhimit tuaj të jetë e vazhdueshme tash e dy vite me radhë, ndërsa banorët e të gjitha vendbanimeve janë të kënaqur me punën që po bëni në terren dhe ky është qëllim i yni i përbashkët, që t’iu ofrojmë shërbime të mira, por edhe qytetarët të jenë të kënaqur, dhe ana tjetër, e mira e gjithë kësaj pune është edhe vetëdijesimi i qytetarëve, që mbeturinat të mos i hedhin në natyrë dhe kjo është arritur falë punës së përbashkët”, ka thënë Paçarizi.
/Epoka e re/