Komuna e Malishevës vazhdon takimet me qytetarë për buxhetin e vitit 2019
Në kuadër të dëgjimeve publike, për hartimin e buxhetit për vitin 2019, përkatësisht marrjen e propozime nga qytetarët për orientimin e investimeve kapitale, mbrëmë janë mbajtur takime me qytetarët e Malishevës, Panorcit, Rudit dhe Garaqevës.
Në këto takime kanë marrë pjesë kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari Hajdin Berisha dhe drejtori për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, të cilët kanë prezantuar buxhetin për vitin 2019.
Në takimin me banorët e qytetit të Malishevës, kryetari Begaj dhe nënkryetari Berisha, kanë thënë se qyteti do të jetë prioritet në vitet në vijim, me qëllim të rregullimit të infrastrukturës së përgjithshme, pastaj shtratin e lumit, një shkollë, një çerdhe dhe disa investime tjera, pasi Malisheva i ka specifikat e veta, edhe si qytet edhe si qendër komunale.
Po ashtu edhe në takimin me banorët e Panorcit, Rudit dhe Garaqevës, është biseduar për orientimin e investimeve kapitale për vitin 2019, ku është prezantuar buxheti për investime kapitale, ndërsa janë marrë propozimet e banorëve për orientim të buxhetit.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, e ka paraqitur buxhetin e ndarë për Komunën e Malishevës, për vitin 2019, me theks të veçantë për investimet kapitale dhe ka kërkuar nga qytetarët që përmes propozimeve të tyre, t’i orientojnë investimin e 4.3 milionë eurove, sa i ka Malisheva për investime kapitale për vitin 2019.
/Epoka e re/