Komuna e Mitrovicës bën apel te qytetarët për kujdes në parandalimin e zjarreve
Në ambientin e Komunës së Mitrovicës, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nehat Bahtiri, ka mirëpritur në takim përfaqësues të policisë së Kosovës, dhe përfaqësues nga Njësia e zjarrfikësve.
Gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me organizimin e një fushate për vetëdijesimin e qytetarëve me qëllimin të parandalimit të zjarreve.
Me këtë rast, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nehat Bahtiri, ka thënë se edhe në këtë vit është planifikuar të organizohen forma të ndryshme vetëdijesimi për qytetarët për mbrojtje nga zjarri.
Kështu Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë përgatitur disa fletushka të cilat do të shërbejnë për informimin e qytetarëve rreth rreziqeve të mundshme nga zjarri.
Po ashtu, drejtori Bahtiri ka bërë apel te qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe vigjilent në shmangien e gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, me qëllim të mbrojtjes së jetës së tyre, shtazëve, pasurisë si dhe mjedisit.
Në fund përfaqësuesit e policisë dhe ata të zjarrfikësve u shprehen të gatshëm të ndihmojnë me të gjitha kapacitetet që kanë në dispozicion, për të reaguar me kohë kur paraqiten rastet me emergjente siç është problemi i zjarrit.