Komuna e Mitrovicës dhe “Qatar Charity” me projekt madhor për familjet skamnore
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur të martën në takim përfaqësuesit e organizatës joqeveritare nga Katari “Qatar Charity”, me ç’rast kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi lidhur me projektin madhor për ndërtimin e lagjes “Frashër” në qytetin e Mitrovicës.
Të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësuesit nga organizata “Qatar Charity”, ambasadori i shtetit Katar për Shqipëri dhe Kosovë, Ali Bin Hamad Al Marri, drejtori i projekteve nga kjo organizate, Esam Dabab, drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, drejtoresha për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Nazan Kërveshi, si dhe përfaqësues tjerë nga kjo organizatë.
Gjatë këtij takimi kryetari Bahtiri së bashku me ambasadorin e shtetit të Katarit, Ali Bin Hamad Al Marri, kanë nënshkruar këtë marrëveshje bashkëfinancimi për zbatimin e projektit për ndërtimin e lagjes “Frashër” me sipërfaqe prej 3. 27 ha (3 ha 27 ari 65 m2).
Ky projekt madhor për qytetin e Mitrovicës parashihet të ketë 40 shtëpi për përfituesit me kushte të dobëta ekonomike dhe pa vendbanim, një shkollë, një shtëpi të shëndetit, katër lokale afariste, një objekt i destinuar për shfrytëzim nga Organizata “Qatar Charity” dhe një xhami.
Ndërsa komuna e Mitrovicës në cilësinë e bashkëfinancuesit ka dhënë në shfrytëzim pronën e paluajtshme me qëllim të ndërtimit të shtëpive për arsye humanitare si dhe do të marrë përsipër rregullimin e tërë infrastrukturës përcjellëse të kësaj lagjeje.
Me këtë rast, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka falënderuar ambasadorin e Katarit dhe përfaqësuesit e këtij shteti për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj qytetarëve të Mitrovicës, duke thënë se është shumë i kënaqur me bashkëpunimin e deritashëm të organizatës Bamirëse “Qatar Charity”, e cila ka mbështetur Mitrovicën me projekte madhore në sektorë të ndryshme, duke kontribuar kështu në zhvillim dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Kurse ambasadori i shtetit Katar, Ali Bin Hamad Al Marri, ka theksuar se ndihet tejet i lumtur që ndodhet në qytetin e Mitrovicës dhe që shteti i tyre ka arritur të ndihmojë Kosovën me projekte të ndryshme e veçmas duke ndihmuar familjet në nevojë.
/Epoka e re/