Komuna e Mitrovicës harton dy plane për periudhën pesëvjeçare për menaxhimin e mbeturinave komunale
Nën kryesimin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe në prani të drejtorëve të drejtorive komunale, të hënën është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve, në të cilën janë shqyrtuar një varg çështjesh me rëndësi për jetën e qytetarit.
Në këtë mbledhje drejtoresha për Mbrojtjen e Mjedisit, Aida Ferati Doli, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me hartimin e Planit Lokal të Veprimit në Mjedis si dhe Planit Komunal të Menaxhimit të Mbeturinave, si dy dokumente strategjike të një rëndësie të veçantë për menaxhimin e mbeturinave në periudhë pesëvjeçare në komunën e Mitrovicës, ku fillimisht këto dokumente do të kalojnë për diskutim publik dhe më tutje do të procedohen në kuvend për miratim.
“DMMP në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe palë tjera të interesit ka hartuar këto dy plane për periudhën 5 vjeçare 2021-2025 për menaxhimin e mbeturinave komunale, ndërsa këto plane janë edhe indikatorë për performancën komunale, garën për mjedis të pastër dhe garat tjera që komuna merr pjesë”, ka thënë drejtoresha Doli.
Gjithashtu Bordi ka diskutuar edhe një sërë temash që ndërlidhen me mirëqenien e qytetarëve, ku pati edhe propozime të ndryshme që kanë të bëjnë me rregullimin më të mirë të funksionimit në secilën drejtori dhe rritjen e kualitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.