Komuna e Mitrovicës Jugut përmbyll vitin 2018 pa asnjë vrasje
Bazuar në vlerësimet analitike të bëra në raportet periodike përgjatë vitit 2018, në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, viti 2018 shënon rënie të përgjithshme të incidenteve dhe rasteve të tjera penale. Kështu ka bërë me dije komandanti i Stacionit Policor në Jug, kapiteni Ahmet Xhosha, gjatë prezantimit të punës i cili u mbajt të martën në Stacionin Jugor të Policisë në Mitrovicë.
Po ashtu, ai ka thënë se rënia e numrit të rasteve në përgjithësi rezulton efikasitetin dhe bashkëveprimin ndërmjet njësive e sektorëve të ndryshëm. “Në fushën e veprave penale gjatë vitit 2018 nuk është shënuar asnjë rast i vrasjes në zonën e Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë. Ky rezultat reflekton angazhimet e vazhdueshme policore dhe masat e ndërmarra në parandalimin e veprave penale”, ka thënë kapiten Xhosha.
Në fjalën e tij toger Fitim Zahiti, duke folur për detajet e raportit, ka theksuar se se numri i përgjithshëm i rasteve kriminale në vitin 2018, ka shënuar rënie për 15.8 për qind më pak në krahasim me vitin paraprak, ai i veprave penale prej 9 për qind, ndërsa ai i veprave penale kundër pasurisë ka shënuar rënie për 16.2 për qind më pak.
Po ashtu toger Zahiti, bëri të ditur se edhe numri i përgjithshëm i aksidenteve në vitin 2018 është zvogëluar për 31.4 për qind më pak në krahasim me vitin paraprak.
“Llogaritet si sukses shumë i mirë, se zbulueshmëria e veprave të përgjithshme kriminale në vitin 2018 është zbritur në 70.4 për qind për vitin 2018”, ka thënë Zahiti, duke shtuar se që nga viti 2013-2018 ka rënie të rasteve të raportuara në përgjithësi prej 52.9 për qind.
Në anën tjetër drejtoresha e Policisë rajonale të Mitrovicës, nënkolonel, Afërdita Mikullovci, ka theksuar se nga të dhënat e publikuara shihet qartë se objektivat e policisë janë arritur në vitin 2018 dhe kjo sipas saj është për t’u vlerësuar.
/Epoka e re/