Komuna e Mitrovicës ka shënuar rritje në inkasimin e të hyrave

24 qershor 2019 | 14:24

Të hënën është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve të Komunës së Mitrovicës, e cila është drejtuar nga nënkryetari Faruk Mujka. Në këtë mbledhje auditori komunal, Nexhat Barani, ka njoftuar ekzekutivin lidhur me planin e veprimit për implementimin e rekomandimeve nga raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitet 2017 dhe 2018. Auditori Barani ka theksuar se ky plan do të hartohet së bashku me kryetarin si dhe drejtoritë komunale të  Mitrovicës.

Ndërsa drejtori i Financave, Shukri Gashi, gjatës kësaj mbledhje ka shpalosur inkasimin e të hyrave vetanake për periudhën janar- maj të këtij viti. “Komuna e Mitrovicës për periudhën raportuese janar – maj 2019 ka arritur të inkasojë të hyra vetjake në vlerë 1030056.33 euro apo 100.31 për qind të planifikimit për këtë periudhë, ndërsa në krahasim me periudhën e njëjtë raportuese të vitit paraprak komuna ka shënuar rritje në inkasimin e të hyrave në shumën prej 225455.34 euro apo 28.02 për qind”, ka thënë drejtori Gashi.

Ai më tutje ka bërë me dije se Drejtoria e Urbanizmit si dhe Drejtoria e Bujqësisë kanë arritur të sigurojnë përqindjen më të madhe sa i përket inkasimit të të hyrave vetjake për këtë periudhe raportuese.

Ndërsa krahasuar në vlera, Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Financave dhe Zhvillimit Ekonomik kanë arritur të inkasojnë vlerat më të mëdha, ku Drejtoria e Urbanizmit merr pjesë me 33.59 për qind, ndërsa Drejtoria e Financave me 33.40 për qind në totalin e inkasuar.

Në anën tjetër, Hysni Ahmeti, drejtor i Inspeksionit ka theksuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës me datën 21.06.2019 ka inspektuar lokalet që shkaktojnë zhurmë në orët e vona të mbrëmjes. Drejtori Ahmeti ka thënë se pronarët e lokaleve, duhet të kenë parasysh ligjet dhe rregulloret në fuqi, në mënyrë që të mos detyrohemi t’iu shqiptojmë gjoba që do të dëmtonin bizneset e tyre.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në komunën e Rahovecit nga e hëna ka filluar regjistrimi…