
Komuna e Mitrovicës mirënjohëse ndaj UNHCR-it
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur të premten në takim shefin e misionit të UNHCR-së për Kosovë, Erol Arduç, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin dhe kontributin e deritanishëm që UNHCR-ja ka dhënë për Komunën e Mitrovicës.
Kryetari Bahtiri i ka shprehur mirëseardhje Arduçit, duke e uruar me rastin e marrjes së detyrës së re të shefit të misionit të UNHCR-së për Kosovë.
Bahtiri ka thënë se Komuna e Mitrovicës është mirënjohëse ndaj UNHCR-it, të cilët në vazhdimësi kanë ofruar ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme në drejtim të mbrojtjes, promovimit dhe përmirësimit të respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë.
Në këtë takim po ashtu u diskutua edhe për projektet e përbashkëta të Komunës së Mitrovicës dhe UNHCR-së në fushën e migrimit, duke vlerësuar se institucionet e Kosovës janë duke menaxhuar mirë çështjen e azilkërkuesve në Kosovë.
Ndërsa shefi i misionit të UNHCR-së për Kosovë, Erol Arduç ka falënderuar kryetarin Bahtiri për realizimin e këtij takimi, i cili do të shërbejë si vazhdimësi e përpjekjeve tona, në kontekst të ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta për të mirën e qytetarëve të vendit dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.
/Epoka e re/