Komuna e Mitrovicës ndan fidane të arrës, lajthisë dhe sistem të ujitjes për 12 fermerë
Në kuadër të mbështetjes së fermerëve me subvencione nga Komuna e Mitrovicës, të enjten është bërë shpërndarja e fidaneve të arrës për 11 fermerët përfitues dhe 1 fermer me fidane të lajthisë, si dhe sistem të ujitjes.
Me rastin e ndarjes së këtyre fidaneve morën pjesë kryetari i komunës, Bedri Hamza, nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, si dhe drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ferdi Kadriu.
Në fjalën e tij, kryetari Hamza, pasi ka përgëzuar fermerët përfitues të këtyre fidaneve, ka theksuar se përkrahja e komunës për fermerët do të jetë e vazhdueshme sepse mbështetja ndaj tyre nënkupton mirëqenie të qytetarëve dhe motivim për t’u marrë me bujqësi.
Kurse, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ferdi Kadriu, ka bërë të ditur se janë ndarë gjithsej 1045 fidane të arrës dhe 95 fidane të lajthisë.
“Secili fermerë ka përfituar nga 95 fidane dhe sistemin e ujitjes, ndërsa totali është 5 hektarë pemishte. Vlera e këtij projekti arrin shifrën mbi 9 mijë e 500 euro”, ka thënë drejtori Kadriu.