Komuna e Mitrovicës nënshkruan marrëveshje partneriteti me “Save the Children”
Komuna e Mitrovicës, gjegjësisht Drejtoria Komunale e Arsimit, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Drejtoria e Integrimeve Evropiane dhe Mirëqenies Sociale, kanë nënshkruar marrëveshjen e partneritetit me organizatën “Save the Children International” në Kosovë.
Kjo marrëveshje u nënshkrua gjatë muajit korrik dhe është e mbështetur në bashkëpunimin mes SCI-së, DKA-së, DSH-së dhe DIEMS-së, për realizimin e aktiviteteve specifike në kuadër të projektit “Përmirësimi i qasjes dhe cilësisë në Kujdesin dhe Zhvillimin gjatë Fëmijërisë së Hershme në Kosovë” (KZHFH).
Palët e lartë përmendura e kanë lidhur këtë marrëveshje duke u bazuar në partneritetin e vazhdueshëm që kanë pasur dhe në frymën e parimeve të SCI-së për partneritet.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje parashihet angazhimi i dy edukatoreve parashkollore për shkollat: SFFMU “Aziz Sylejmani” Paralele e ndarë në Suhodoll dhe ShFMU “Sefedin Smakolli” në Rashan.
Projekti do të vazhdojë te implementohet edhe në SHMU “Sylejman Vokshi” në Broboniq, SHMU “Fazli Greiçevci” paralelja e ndarë në Vërnicë, ku parashihet ofrimi i një granti për të mbështetur zbatimin e planit zhvillimor të këtyre dy qendrave të KZHFH-së.
Po ashtu edhe për Institucionin Parashkollor “Gëzimi Ynë” në Mitrovicë do të ofrohet një grant për të mbështetur zbatimin e planit zhvillimor të këtij institucioni.
Gjatë këtij muaji me organizatën “Save the Children International” në Kosovë është nënshkruar edhe marrëveshja tjetër e bashkëpunimit me Drejtorinë Komunale të Arsimit. Kjo marrëveshje është bërë me qëllim të bashkëpunimit në mes të SCI-së dhe DKA-së për realizimin e aktiviteteve specifike në kuadër të projektit për Arsimin Gjithëpërfshirës.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje parashihet angazhim i një mësimdhënësi të ri mbështetës gjithëpërfshirës në nivelin e Drejtorisë Komunale të Arsimit për të ofruar përkrahje të vazhdueshme për shkollat që do të përfshihen në grupin shkollor të komunës së Mitrovicës, si dhe ofrimi i granteve të vogla për të mbështetur zbatimin e planeve zhvillimore shkollore të grupeve të shkollave përfituese, të frymëzuara nga Indeksi për Gjithë përfshirje.
Projekti do të zbatohet në pesë shkolla fillore: SHFMU “Migjeni”, SHFMU “Bedri Gjinaj”, SHFMU “Eqrem Çabej”, SHFMU “Musa Hoti”në Mitrovicë dhe SHFMU “Bislim Imeri” në Kçiq të Madh.
/Epoka e re/