Komuna e Mitrovicës nënshkruan marrëveshje për fuqizimin e të rinjve
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, së bashku me drejtoreshën e Administratës së Përgjithshme, Valmira Sylejmani, kanë pritur në takim përfaqësuesin e organizatës Youth Initiative for Human Rights (YIHR KS), Vilson Haxholli.
Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit për fuqizimin e të rinjve të cilët kërkojnë drejtësi dhe të bëhen pjesëmarrës aktivë në sektorin e drejtësisë në Kosovë si dhe të rritë qasjen në drejtësi në nivelin komunal.
Përmes kësaj marrëveshje Komuna e Mitrovicës u mundëson tre studentëve të mbajnë punë praktike tremujore në institucionin e saj në kuadër të projektit “Rritja e qasjes në drejtësi në nivelin komunal”.
Me këtë rast, nënkryetari Mujka së bashku me Haxhollin u zotuan për bashkëpunim të ngushtë dhe në mënyrë konstruktive për të ndërmarrë çdo veprim të dyanshmëm për realizimin e projekteve që ndikojnë në rritjen e qasjes në drejtësi në nivelin komunal.