Komuna e Mitrovicës paralajmëron masa të shtuara sigurie afër lumenjve dhe liqeneve
Me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve parandaluese në ofrimin e sigurisë, në kuadër të implementimit të planit operativ “sezoni veror”, me iniciativën e drejtorit për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Nehat Bahtiri, zyrtarët komunal së bashku me Policinë e Kosovës, kanë vizituar disa zona të lumenjve dhe liqeneve të cilat mund të paraqesin rrezik për qytetarët.
Gjatë inspektimit të këtyre zonave përfaqësuesit nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë vlerësuar se zonat me të rrezikuara janë përgjatë liqenit artificial, duke kërkuar të shtohet numri i shenjave të rrezikut dhe paralajmërimi për vizitorët me anë të shenjëzimeve dhe segmentet për thellësinë, rrymat e ujit si dhe rreziqet tjera të mundshme.
Po ashtu, është kërkuar të bëhet edhe vendosja e pengesave (barrierave në afërsi të digave) nga fakti se vrulli i ujit paraqet rrezik kryesisht për fëmijë.
Me këtë rast, shefi i sektorit për Siguri dhe Emergjenca, Bahtir Maxhuni, ka thënë se këto objektiva parashihen të ndërmerren bazuar në planin e veprimit, me qëllim të krijimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt në zonat e lumenjve, dhe liqenit artificial, të cilat po frekuentohen nga një numër i madh i qytetarëve.
Përfaqësuesit komunal kanë shprehur gatishmërinë për të bashkërenduar aktivitetet në krijimin e kushteve dhe sigurisë, si dhe u zotuan se brenda mundësive do të ndërmarrin masat e parapara në plotësim të shenjave dhe barrierave.
/Epoka e re/