Komuna e Mitrovicës premton mbështetje për të verbrit
Koordinatori i Njësisë për të Drejtat e Njeriut në Mitrovicë, Fitim Rama, ka realizuar një takim me drejtorin ekzekutiv të Shoqatës së Verbërve të Kosovës, Mexhit Foniqi, me të cilin është biseduar për gjendjen aktuale të shoqatës së verbërve të Kosovës, me theks të posaçëm për përmirësimin e gjendjes së verbërve, duke kërkuar përkujdesje më të madhe të institucioneve lokale dhe qendrore.
Po ashtu, gjatë këtij takimi Foniqi ka folur edhe për mbajtjen e punëtorive me temën “Fuqizimi i të Drejtave Ligjore të Personave të Verbër përmes avokimit në nivel lokal”, saktësisht nenit 8-të të këtij ligji i cili është në kompetencë të kuvendit komunal.
Ndërsa, Skender Kerolli, kryetar i Shoqatës së Verbërve të Mitrovicës, ka folur për problemet që ka shoqata e tyre në realizmin e projekteve të ndryshme dhe përpjekjet që po bëhen për të përmirësuar gjendjen.
Ai ka kërkuar nga institucionet dhe shoqëria krijimin e mundësive të barabarta edhe për personat e verbër.
Në anën tjetër, Fitim Rama, koordinator i Njësisë për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se në kuadër të mundësive buxhetore që ka komuna, njësia jonë është duke e mbështetur Shoqatën e të verbërve në Mitrovicë në zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme. “Komuna në bazë të mundësive buxhetore që posedon, ka treguar përkujdesje të veçantë për këtë kategori të qytetarëve, në mënyrë që të bëhet integrimi i tyre në shoqëri”, ka thënë Rama.
/Epoka e re/