Komuna e Mitrovicës prezanton draftplanin e mobilitetit të qëndrueshëm urban
Në Sallën e Kuvendit Komunal të mërkurën është bërë shpalosja e Draftplanit të mobilitetit të qëndrueshëm urban të komunës së Mitrovicës Jugore për vitet 2020-2028, të hartuar nga UN-Habitat-i dhe komuna e Mitrovicës, në bazë të udhëzuesit evropian për mobilitet.
Në këtë prezantim ishte i pranishëm nënkryetari i kësaj komune, Faruk Mujka, drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, përfaqësuesja nga UN-Habitat-i, Zana Sokoli, zyrtarë tjerë komunalë, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.
Me këtë rast, nënkryetari Mujka, ka thënë se Mitrovica po bëhet me planin e saj të mobilitetit, pas një procesi gjithëpërfshirës dyvjeçar të hartimit të tij nga UN-Habitat dhe komuna e Mitrovicës. “Ky plan parasheh zgjidhje afatgjate për komunën tonë në raport me transportin regjional dhe Mitrovicën si qendër e regjionit verior të Kosovës, transportin publik dikur ekzistues në Mitrovicë, parkingjet si njëri ndër problemet më të mëdha të qendrave tona urbane, hapësirat publike, shtigjet për këmbësorë dhe biçikleta. Pas këtij diskutimi plani do të vihet në shqyrtim publik online për qytetarët, në mënyrë që t’i japin komentet e tyre finale para se të aprovohet në Asamblenë komunale”, ka thënë Mujka.
Ndërsa përfaqësuesja nga UN-Habitat-it, Zana Sokoli, ka prezantuar para të pranishmëve në detaje gjithë planin e hartuar, për të vazhduar më pastaj me gjetjet dhe propozimet tjera nga ana e të pranishmëve. Në fund, Sokoli, e ka dorëzuar këtë plan tek kryetari Agim Bahtiri, i cili e ka përgëzuar për punën e kryer me sukses nga grupi punues i komunës dhe UN-Habitat-it.