Komuna e Mitrovicës shënon progres në inkasimin e të hyrave vetanake
Të hënën është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve të komunës së Mitrovicës, ku janë diskutuar disa pika të rendit të ditës, që janë me interes për qytetarët e komunës së Mitrovicës.
Kjo mbledhje është drejtuar nga kryetari i komunës së Agim Bahtiri.
Drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka njoftuar ekzekutivin se përgjatë vikendit inspektorët komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë kryer kontrolle të shumta në lokalet e qytetit, zhurma e të cilëve është kthyer në burim shqetësues për qetësinë e qytetarëve.
Ai më tutje theksoi se jo vetëm këtë fundjavë por edhe në fundjavat në vijim, Drejtoria e Inspeksionit do të vijojë me kontrollet në lokalet e qytetit me qëllim sigurimin e qetësisë publike për qytetarët.
Drejtori Ahmeti më tutje ka shtuar se Drejtoria e Inspeksionit edhe gjatë këtij vikendi ka kryer kontrolle inspektuese për respektimin e orarit të punës nga subjektet afariste.
Ndërsa drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport,Tafil Peci, ka theksuar se është shumë e rëndësishme që ansambli i këngëve dhe valleve të qytetit të ketë një mbështetje financiare për zhvillimin e aktiviteteve të këtij ansambli.
Me këtë rast ekzekutivi ishin të pajtimit t’i ofrohet mbështetje Ansamblit për krijimin e kushteve më të mira për punë, në mënyrë që ansambli të arrij suksese.
Kurse drejtori për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Shukri Gashi, ka bërë me dije se nga 10 korriku, komuna e Mitrovicës ka filluar me mbajtjen e dëgjimeve buxhetore për planifikimin e buxhetit për vitet 2020-2022, dhe gjithsej do të mbahen shtatë dëgjime buxhetore.
Në fund të kësaj mbledhje, drejtori Gashi ka theksuar se komuna e Mitrovicës ka shënuar progres sa i përket inkasimit të të hyrave vetanake në dhjetë vitet e fundit, ku në vitin 2010 komuna kishte realizuar inkasim të të hyrave në vlerë 1,650,134.40 euro ndërsa në vitin 2018 komuna e Mitrovicës ka arritur të inkasoj të hyra vetanake në vlerë prej 2,280,284.67 euro.
/Epoka e re/