Komuna e Mitrovicës shpërndau 56 mekanizma bujqësor për fermerët
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka dhe drejtori për Bujqësi, Ekrem Sadiku, kanë nënshkruar kontratat me 56 fermerë përfitues të mekanizmave bujqësor.
Me këtë rast, Bahtiri tha se është i lumtur që po ndihmon sektorin e bujqësisë.
“Fakti se sot po i nënshkruajmë kontratat me 56 fermerë të Komunës, tregon për përkushtimin tim që të mbështesë sektorin e bujqësisë dhe në veçanti fermerët. Ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq, por do të vazhdojmë edhe me realizimin e projekteve tjera, duke siguruar subvencione nga buxheti i komunës, apo edhe nga donatorë të ndryshëm”, ka deklaruar Bahtiri.
Ndërkaq, drejtori Ekrem Sadiku, theksoi se nga ky projekt janë zgjedhur përfituesit të cilët i kanë plotësuar kërkesat e parapara nga DBZHR.
Përmes këtij projekti 10 fermerë kanë përfituar Rotofreza 2.0 metra gjerësi, 38 fermerë, mbledhëse bari në formë dielli dhe 8 fermerë spërkatëse për grurë në sasi prej 500 litra.
Ky projekt ka kushtuar rreth 24 mijë euro, ku komuna ka participuar me 70 për qind ndërsa fermeri 30 për qind.
/Epoka e re/