Komuna e Mitrovicës subvencionon me rotofreza 55 fermerë
Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Mitrovicës në kuadër të planit të saj të punës, ka subvencionuar me rotofreza 55 fermerë.
Të pranishëm në rastin e nënshkrimit të kontratave me fermerët përfitues të projektit ishin kryetari i komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari, Faruk Mujka, si dhe drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku.
Në fjalën e tij, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, fillimisht përshëndeti të gjithë fermerët duke i vlerësuar si punëtorë të zellshëm, ku falë punës së tyre sektori i bujqësisë po shënon edhe progres të vazhdueshëm.
“Shpreh mirënjohjen time për punën tuaj të zellshme, si dhe për bashkëpunimin tuaj me drejtorin e Bujqësisë, ku së bashku janë realizuar shumë projekte, në sektorë të ndryshëm përmes subvencionimit nga ana e komunës”, ka thënë Bahtiri.
Ai ka uruar të gjithë fermerët përfitues të këtij projekti, duke u dëshiruar suksese në punën e tyre edhe në të ardhmen, ku u tha atyre se komuna në vazhdimësi do të mbështesë dhe do t’i rrisë investimet në sektorin e bujqësisë.
Ndërsa, drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ekrem Sadiku, ka thënë se drejtoria që drejton në vazhdimësi ka mbështetur fermerët në zhvillimin e veprimtarive të tyre, duke ua lehtësuar kështu edhe kushtet e jetës.
Nga ky projekt janë mbështetur gjithsej 55 fermerë me rotofreza, ku vlera totale e projektit arrin shumën 44,825.00 euro, prej tyre participimi i fermerëve me 30 për qind, ndërsa Komuna e Mitrovicës ka ndarë mjete në vlerë prej 31.377.00 euro.