Komuna e Mitrovicës vazhdon bashkëpunimin për realizimin e projekteve me DRC-në
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, ka pritur të premten në takim drejtoreshën e DRC-së në Kosovë, Kristen Stec, dhe zyrtarin e projektit të DRC-së në Mitrovicë, Agron Deda.
Në këtë takim është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit mes Komunës së Mitrovicës dhe organizatës Danish Refugee Council (DRC), duke përfshirë projektet që kanë për qëllim mbështetjen e komunitetit ashkali, romë dhe egjiptian në Mitrovicë.
Gjatë këtij takimi është bërë me dije se shumë shpejt do të nënshkruhet edhe një memorandum mirëkuptimi që ka për qëllim mbështetjen e Komunës së Mitrovicës në uljen e izolimit socio-ekonomik të komuniteteve pakicë dhe komuniteteve të cenueshme.
Hamza pasi ka falënderuar përfaqësuesit e DRC-së për kontributin e madh që japin në përkrahje të qytetarëve të Mitrovicës, ka thënë se komuna është e gatshme dhe e hapur për të bashkëpunuar në realizimin e projekteve të përbashkëta të cilat do të jenë në shërbim të qytetarëve.