Komuna e Podujevës dhe BSCK-Kosovo nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Besnik Krasniqin, drejtor i Business Support Center Kosovo, për mbështetje në realizimin e projektit “Ngritja e kapaciteteve profesionale të të rinjve dhe bizneseve aktive për zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive për ndërmarrësi”.
Qëllimi i marrëveshjes dhe projektit në përgjithësi është zhvillimi i ndërmarrësisë në Podujevë dhe përgatitja profesionale e të rinjve të diplomuar për punësim dhe vetpunësim, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e ndërmarrjeve të reja.
Kryetari Bulliqi ka thënë se përmes kësaj marrëveshje synojmë që me BSCK të realizojmë programe trajnimi kualitative dhe për të rinjtë, por edhe bizneset që dëshmohen.
“Do të ofrojmë grante për zhvillimin e ideve të reja dhe inovative për biznese përmes të cilave sigurohet zhvillim ekonomik ne komunën tonë”, ka thënë ai.
Vlera e përgjithshme e projektit është 48.691 euro, ndërsa për realizimin e tij, Komuna e Podujevës, përmes Drejtorisë së Planifikimit dhe Zhvillimit Ekonomik (DPZHE) do të ndajë 29.311 euro, ndërsa BSCK 19.380 euro.
Në kuadër të marrëveshjes palët dakordohen për ofrimin në dispozicion të të gjitha resurseve, në favor të arritjes së niveleve më të larta të bashkëpunimit në realizimin e projektit.