Komuna e Podujevës dhe GIZ-i bashkëpunojnë ngushtë në mbrojtjen e ambientit
Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e GIZ-it, me të cilët ka diskutuar për planet dhe projektet e përbashkëta në fushën e ambientit.
Veliu ka falënderuar përfaqësuesit e GIZ-it për bashkëpunimin e suksesshëm në sferën e ambientit, duke ofruar bashkëpunim më të thellë në avancimin e projekteve që mundësojnë menaxhim më të mirë të mbeturinave.
Ai ka thënë se Komuna e Podujevës ka formuar grupin punues për menaxhim të mbeturinave, i cili do të punojë në ndarjen e zonave të shërbimit, si dhe do të angazhohet për largimin e deponive ilegale dhe shtrirjen e sistemit të grumbullimit të mbeturinave.
GIZ-i ka angazhuar dy kompani, njërën për plan të ri operativ për shërbim dhe një kompani tjetër për përcaktimin e tarifave të grumbullimit të mbeturinave.
Shqetësimin që u ngrit në këtë takim ishte iniciativa e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), e cila ka kërkuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) rritjen e tarifave të deponimit të mbeturinave.
Për këtë çështje kryetari Veliu ka thënë se kjo iniciativë është kundërshtuar edhe në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK), për faktin se nëse ndodh kjo rritje e tarifave krijon vështirësi të shërbimit të amvisërive. “Fokusi ynë duhet të jetë në përmirësimin e shërbimeve dhe menaxhim më të mirë i deponive, e jo ngritja e tarifave”, ka thënë Veliu.
Në takim është diskutuar edhe për planin e ri operativ për shërbime, i cili do të përfshijë të gjitha vendbanimet e komunës. Ky plan do të jetë më efiçinet në shpenzime dhe mundëson shfrytëzim maksimal të aseteve teknike dhe humane.
GIZ-i i ka dhuruar kompanisë “Pastrimi” 50 kontejnerë, të cilët do të shërbejnë për riorganizmin e mbeturinave përgjatë qendrës së qytetit, si dhe 200 kontejnerë 60 litërsh, të cilët do të shpërndahen për amvisëritë në fshatin Batllavë.
/Epoka e re/