Komuna e Podujevës dhe Ministria e Ekonomisë me marrëveshje bashkëpunimi
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka nënshkruar të martën marrëveshje bashkëpunimi me Fatos Qerimin, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë, në funksion të transferimit të pasurisë jofinanciare te Komuna e Podujevës.
Referuar marrëveshjes së nënshkruar, Komuna e Podujevës dhe Ministria e Ekonomisë, janë pajtuar për transferin e pasurisë jofinanciare nga projektet “Auditimi energjetik i ndërtesave publike dhe ndërmarrjeve tjera të obligushme për zbatimin e masave të efiçencës së energjisë në objektet publike në Komunën e Podujevës”.
Bulliqi ka thënë se në kuadër të këtij memorandumi Komuna e Podujevës nga sot merr përsipër menaxhimin dhe mbikëqyrjen e projekteve të realizuara nga investimet e përbashkëta që ka bërë ndër vite në disa ndërtesa publike.
Projekti i fundit i implementuar në këtë fushë është në shkollën “Lasgush Poradeci” në fshatin Dumnicë, ndërsa më parë projekte të tilla janë realizuar edhe në shkollat e fshatrave, Dobratin dhe Dobërdol.
Me projekte të tilla sivjet do të vazhdohet edhe me dy shkolla tjera, në shkollën “Shaban Shala” në Podujevë dhe në shkollën e fshatit Tërnavë.