Komuna e Podujevës dhe ShSKUK-ja nënshkruan marrëveshje për objektin e Poliklinikës Specialistike
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi, nënshkruan marrëveshje për shfrytëzimin afatgjatë të objektit që është i dedikuar për Poliklinikë Specialistike.
Ky objekt, që është pronë e Komunës së Podujevës, në bazë të kësaj kontrate i jepet ShSKUK-së në shfrytëzim afatgjatë pa pagesë.
Ndërkohë, ShSKUK-ja do të bëjë rekrutimin e infermierëve dhe blerjen e disa pajisjeve të nevojshme, për të cilat tashmë i kanë nisur procedurat e prokurimit.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes-kontratës, kryetari Bulliqi u shpreh i lumtur që qytetarëve të Podujevës shumë shpejt do t’u ofrohen shërbime specialistike në komunën e tyre, për të cilat deri tash janë detyruar të udhëtojnë në Prishtinë.
Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë edhe ministri për Shëndetësi, Arben Vitia dhe drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Podujevës, Adelina Stublla.