Komuna e Podujevës largon deponitë ilegale, shqipton gjoba për ndotësit e ambientit
Në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen e mjedisit, komuna e Podujevës, përkatësisht Drejtoria e Shërbimeve Publike ka filluar largimin e deponive ilegale, ndërsa Drejtoria e Inspeksionit është në terren për të inspektuar dhe shqiptuar gjoba për ndotësit e ambientit.
Gjobat mandatore po shqiptohen për të gjithë hedhësit e mbeturinave, qoftë të amviserisë apo të ndërtimit të cilat po hidhen në lumë dhe në hapësirat e tjera, publike dhe private.
Po ashtu, gjoba po shqiptohen edhe për ata të cilët hedhin mbeturina në vendet e caktuara për banorët e komplekseve banesore, e të cilët nuk janë pjesë e atyre objekteve ku gjenden kontejnerët.
Drejtoria e Inspeksionit ka ftuar të gjithë krijuesit e mbeturinave, ekonomitë familjare, por edhe të gjithë operatorët ekonomikë të lidhin kontrata me kompanitë për mbledhjen dhe bartjen e mbeturinave në mënyrë që të evitojmë krijimin e deponive ilegale.
Po ashtu, Drejtoria e Inspeksionit ka ftuar qytetarët të jenë partnerë në ruajtjen e mjedisit, duke dërguar dëshmi vizuele në rastet kur hasin në qytetarë të pandërgjegjshëm të cilët shkaktojnë ndotje të ambientit.