Komuna e Podujevës nis fushatën vetëdijsuese kundër trafikimit me njerëz
Komuna e Podujevës ka mbajtur takim për koordinimin e aktiviteteve njëmujore të fushatës vetëdijsuese kundër trafikimit me njerëz me qëllim të parandalimit të dhunës, keqtrajtimit, shfrytëzimit seksual apo keqpërdorimit në çfarëdo lloj forme.
Koordinatori i Njësitit për të Drejtat e Njeriut, Ahmet Ahmeti, ka thënë se trafikimi i njerëzve sot është një sfidë reale ndaj sistemit tonë dhe vlerave shoqërore, një shkelje e të drejtave themelore të njeriut dhe lirisë, dhe ne si shoqëri duhet të angazhohemi të luftojmë këtë dukuri me veprime të caktuara, me qëllim mbrojtjen e fëmijës dhe parandalimin e cenimit të integritetit.
Gjatë takimit me theks të veçantë u diskutua për rrezikun e trafikimit të fëmijëve në shkolla, ku mund të bien pre e ndonjë rrjeti trafikant dhe ngritja e vetëdijes është shumë e nevojshme, ku të gjithë akterët pjesëmarrës u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit mes zinxhirit “Shkollë, prindër, DKA dhe institucione të sigurisë”.
Motoja e fushatës është “Trafikimi prekë të gjithë, ta mbrojmë vetën dhe fëmijët tanë”.
Komuna e Podujevës ka njoftuar se po punon vazhdimisht në krijimin e mekanizmave lokal me qëllim të identifikimit dhe parandalimit të trafikimit njerëzor, për krijimin e një ambienti të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë.
Në kuadër të fushatës një mujore “Trafikimi prekë të gjithë, ta mbrojmë vetën dhe fëmijët tanë”, do të mbahen aktivitete të ndryshme në shkolla nga Njësiti për të drejtat e Njeriut me akterët relevantë.