Komuna e Podujevës përmbyll dëgjimet publike për buxhetin e vitit 2025
Në kuadër të dëgjimeve publike buxhetore, është mbajtur dëgjimi buxhetor me banorët e Podujevës, me të cilin edhe u përmbyll ky cikël i dëgjimeve buxhetore.
Dëgjimi u mbajt në hapësirën e Kuvendit Komunal në objektin e Komunës, ku morën pjesë drejtori për Buxhet dhe Financa, Fatlum Osmani dhe drejtori i Arsimit, Avni Fetahu.
Drejtori Osmani prezantoi para të pranishmëve projektet kryesore të draft-buxhetit për vitin 2025, ku dha detaje për projekte dhe investime në fusha të ndryshme e me theks të veçantë foli edhe për përkrahjen e grave në biznes.
Pjesëmarrësit paraqitën kërkesat e tyre në fusha të ndryshme, si infrastrukturë, shërbime publike, arsim, zhvillim ekonomik e bujqësi. Ata kërkuan subvencione për makineri të ndryshme që ndihmojnë gratë sipërmarrëse dhe në të njëjtën kohë edhe lehtësimin e kritereve për subvencione.
Ky ishte dëgjimi i dhjetë buxhetor që u organizua për draft-buxhetin e vitit 2025.