Komuna e Prishtinës dezinfekton 102 hektarë hapësirë
Komuna e Prishtinës ka paraparë ta mbajë mbledhjen e Kuvendit Komunal për ndërmarrjen e dhjetë masave të reja në kryeqytet për parandalimin e koronavirusit. Në dhjetë masat e parapara nga Komuna parashihet dezinfektimi i të gjithë kryeqytetit, përfshirë parqet dhe rrugët.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, ka thënë për Ekonomia Online se do të dezinfektohen 102 hektarë. Mes të tjerash, Nushi ka njoftuar se në këtë mbledhje do të kërkojnë nga qeveria fond të posaçëm për parandalimin e virusit korona. “Mjetet të cilat ne nuk i kemi në fondin e ndarë për luftimin e pandemisë koranavirus sepse duhet të kalojë përmes Kuvendit. Do të paraqesim 10 masa dhe besoj se do ta marrim aprovimin nga anëtarët. Do të bëjmë kërkesë në qeveri për ndihma të mëtutjeshme, ose ndonjë fond të posaçëm për komunën, pasi është kryeqytet dhe kemi nevojë për projekte më të harmonizuara në luftë kundër pandemisë”, ka treguar nënkryetari Nushi.
Ai ka bërë me dije që së shpejti do të vendoset pajisja në oborrin e QKMF-së, në të cilën duhet të lajmërohen të gjithë ata që supozojnë se janë të prekur nga ky virus. “Projektet e tjera të cilat do të zbatohen së shpejti është pajisja që do të vendoset në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare. Kemi vendosur shatorin ku duhet të lajmërohen të gjithë ata që supozojnë se janë të prekur nga ky virus. Kemi marrë edhe masa të tjera. Kemi kontraktuar kompani për dezinfektimin e tërë qytetit, ku përfshihen 8 seanca, 102 hektarë. Do të dezinfektohen të gjitha rrugët, parqet që të jenë sa më të pastër dhe pa brenga për qytetarët. Të gjitha mundësitë do t’ua ofrojmë qytetarëve që ne si komunë mund t’i ofrojmë, përfshirë edhe pako higjienike dhe ushqimore”, u shpreh Nushi.
Numri i madh i rasteve të prekura nga ky virus, Nushi tha se është më lehtë i menaxhuar pasi që janë të kontaktit. “Pritet të rritet numri. Rastet po janë të kontaktit e jo tash të importuara dhe po janë më lehtë të menaxhuara”, tha ai.