Komuna e Prishtinës dhe UBT: Memorandumi që ngre dyshime për favorizim
Komuna e Prishtinës dhe Kolegji Ndërkombëtar për Biznes dhe Teknologji – UBT kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi që synon të forcojë bashkëpunimin në fushën e inxhinierisë dhe menaxhimit të infrastrukturës. Ky memorandum parasheh shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e programeve të përbashkëta, duke vënë në dispozicion hapësira dhe pajisje nga Komuna e Prishtinës, ndërsa UBT angazhohet për ngritjen e kapaciteteve akademike dhe profesionale të palëve të përfshira. Megjithatë, kjo marrëveshje ka ngritur shqetësime mbi transparencën dhe favorizimin e mundshëm, pasi Kolegji UBT është një subjekt privat dhe jo një organizatë jofitimprurëse, çka mund të krijojë precedent për trajtime të privilegjuara në marrëdhëniet me institucionet publike, shkruan Demokracia.com.
Në praktikën e zakonshme, institucionet publike nënshkruajnë memorandume mirëkuptimi kryesisht me organizata jofitimprurëse (OJQ), duke u bazuar në natyrën publike dhe jo-komerciale të këtyre bashkëpunimeve. Këto marrëveshje synojnë promovimin e interesit publik përmes projekteve që përfiton komuniteti, pa përshirë elementë komercialë apo konkurrues. Rrallëherë ndodh që memorandume të tilla të lidhen me subjekte private, siç janë bizneset, çka ngre pikëpyetje mbi natyrën e këtyre bashkëpunimeve dhe përputhshmërinë e tyre me parimet e transparencës dhe konkurrencës së drejtë.
Kur bizneset përfshihen në bashkëpunime të tilla me institucionet publike është thelbësore që këto marrëveshje të zhvillohen me transparencë të plotë dhe përmes një gare të hapur. Kjo qasje siguron që të gjitha subjektet private të kenë mundësinë të aplikojnë në mënyrë të barabartë dhe që përzgjedhja të bëhet mbi baza meritore. Një proces i hapur gjithashtu garanton shmangien e konflikteve të interesit dhe promovon besimin e publikut në integritetin e institucioneve publike dhe vendimeve të tyre.
Memorandumi shprehimisht thekson se nuk ka ndonjë efekt financiar. Megjithatë, angazhimi i resurseve të komunës (hapësira, pajisje, koha e personelit) mund të përfaqësojë përfitim indirekt për UBT. Demokracia.com ka gjetur se disa drejtorë të Komunës së Prishtinës japin mësim në këtë biznes privat, ndërsa UBT ka statusin e biznesit “Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar”.
Sipas memorandumit, “marrëveshja e bashkëpunimit ka për qëllim krijimin e mundësive të reja për avancimin e studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Ndërtimore dhe Infrastrukturë në të dyja nivelet e studimit, duke përshirë ndjekjen e praktikave profesionale në objektet dhe mjediset e punës të menaxhuara nga Drejtoria për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave”.
Komuna e Prishtinës ka lejuar qasje në këtë marrëveshje, e cila përmban data të ndryshme të nënshkrimit të saj.
Demokracia.com i ka drejtuar pyetje Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), e cila auditon edhe marrëveshjet ku janë të përfshira institucionet publike. Ky institucion ka deklaruar se: “Sipas metodologjisë dhe standardeve të auditimit që zbatohen nga Zyra Kombëtare e Auditimit, dhënia e një opinioni të bazuar dhe të saktë lidhur me çështjen që keni ngritur është e pamundur përderisa nuk është kryer auditimi i atij procesi. Ky proces kërkon analizë, vlerësim dhe testime adekuate dhe mjaftueshëm të mbështetura në dëshmi, kritere të qarta dhe të matshme përmes së cilave arrihet konkluzioni”.
Nga ana e saj, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka deklaruar se çështja nuk bie në domenin e tyre të përgjegjësisë.” Autoriteti i Konkurrencës është institucion i pavarur, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, që do të thotë parandalimin, kufizimin dhe çrregullimin e ndjeshëm të konkurrencës në tregjet relevante në Kosovë dhe jashtë saj nëse veprimet ekonomike të tyre kanë ndikim në Kosovë.
Sipas ligjit në fuqi konsiderohen shkelje apo veprime të kundërligjshme:
– Marrëveshjet e ndaluara (kartelet) e ndryshme që i përcakton neni 5 i Ligjit,
– Abuzimi me pozitën dominuese neni 9 dhe
– Përqendrimet, për të cilat nuk është njoftuar Autoriteti për realizimin e tyre neni 11.
Autoriteti i Konkurrencës në rastin e vlerësimit të ndonjë ankese/kërkesë, bënë përcaktimin e tregut relevant, ku përcaktohet si treg i mallrave dhe shërbimeve të caktuar në një zonë gjeografike në të cilin kryhet veprimtaria e ndërmarrjeve.
Sjelljet e institucioneve publike rregullohen me ligje të veçanta, ku mbulohen fushëveprimtaria e tyre edhe në raport me palët e interesit. Sa i përket pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se çështjet e ngritura nuk bien në domenin e shqyrtimit të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës”.
Demokracia.com ka kërkuar një përgjigje edhe nga Agjencia për Parandalimin e Konflikt të Interesit, por të njëjtit nuk janë përgjigjur akoma, ndërkohë mësohet se e kanë marrë në shqyrtim këtë rast.