Komuna e Prishtinës fillon ekzekutimin e pagesave për të infektuarit nga Covidi
Komuna e Prishtinës ka filluar me ekzekutimin e mjeteve financiare për të gjithë qytetarët e saj që kanë aplikuar pasi kanë rezultuar pozitivë me virusin Covid-19.
Sipas njoftimit të komunës, rastet me PCR janë marrë në listat e IKShPK-së dhe klinika private të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë, kurse rastet e konfirmuara me testet serologjike dhe rapide janë marrë nga Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Nga komuna, kanë bëtë me dije se sot do ekzekutohen mjetet për 6 704 aplikues.
Kujtojmë që thesari i Republikës së Kosovës në Ministrinë e Financave i ka dhënë qasje Komunës së Prishtinës që të kryhen pagesat e stagnuara për të prekurit me Covid-19 dhe grantin për biznese të vogla si shkak i mbylljes së vitit fiskal në dhjetor të vitit 2020.
Në ndërkohë para disa ditësh, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se këto pagesa nuk po ekzekutohen si shkak i mos hapjes së vitit fiskal nga Ministria e Financave.
Qysh nga fillimi i ndihmës në vlerë 50 euro për të prekurit me Covid-19, kanë përfituar mbi 400 persona, kurse me hapjen e vitit financiar pritet të përfitojnë edhe rreth tetë mijë qytetarë.