
Komuna e Prishtinës jep detaje për masat kundër ndotjes së ajrit
Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, ka thënë se qarkullimi i të gjitha veturave brenda qytetit do të ndalohet nesër duke filluar nga ora 06:00 deri në orën 22:00.
Në këtë vendim nuk do të hyjnë automjetet e policisë, emergjencës, misioneve diplomatike apo zyrtarëve tjerë.
Pacolli tutje ka bërë me dije se do të parandalohet edhe shitja e thëngjillit.
“Është marrë vendim që të ndalohet shitja e thëngjillit brenda territorit të Prishtinës, dhe të ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit nga ora 6:00 deri në orën 22:00. Automjetet e transportit publik, emergjenca dhe policia, diplomatike, KFOR-it, EULEX-it, taksitë e licencuar etj, këto janë të lejuara që të futen në brendinë e qytetit”, ka thënë Pacolli.
Pacolli gjithashtu ka theksuar se transporti i udhëtarëve me autobusët e Trafikut Urban do të jetë pa pagesë, gjë që do të mundësohet nga Qeveria e Kosovës.
Numri i veturave që hynë e dalin nga Prishtina në një ditë, cilësohet se shkon në 120 mijë vetura.