Komuna e Prishtinës kërkon respektim të orarit nga transportuesit e mallrave

23 tetor 2023 | 12:14

Inspektorati i Kryeqytetit të hënën që nga orët e hershme të mëngjesit në pika të ndryshme në Prishtinë ka zhvilluar kontrolle inspektuese mbi zbatimin e vendimit të kryetarit Përparim Rama, lidhur me orarin e përcaktuar të furnizimeve nga të gjithë transportuesit e mallrave – furnitorëve në kryeqytet.

Qarkullimi i të gjithë transportuesve të mallrave në kryeqytet, sipas vendimit të kryetarit Rama do të lejohet sipas këtij orari, në Zonën I, që përfshinë pjesën qendrore të kryeqytetit, nga ora 19:00 deri të nesërmen në orën 07:00 në mëngjes; në Zonën e II, që përfshin pjesën përtej qendrës së kryeqytetit, nga ora 18:00 deri të nesërmen në orën 07:00 në mëngjes. Ndërkaq bulevard/sheshi i kryeqytetit, nga ora 23:00 deri të nesërmen në orën 07:00 në mëngjes, për mjetet deri në 3.5 t.

Inspektorati i Kryeqytetit ka kërkuar nga të gjitha subjektet afariste që të respektohet ky orar, përndryshe do të jenë të detyruar që të ndërmarrim masa në përputhje me vendimin e kryetarit Rama por edhe kornizën ligjore në fuqi.

Në njoftimin e Drejtorisë së Inspeksionit, thuhet se kanë pranuar numër të madh të ankesave nga shumë qytetarë të Prishtinës mbi vështirësitë por edhe problemet e shumta që transportuesit e mallrave – furnitorët janë duke shkaktuar në zona të ndryshme në kryeqytet gjatë qarkullimit të tyre por edhe gjatë parkimit dhe zbrazjes së mallrave në destinacionet përkatëse.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Leon Goretzka do t’i mungojë disa javë Bayern Munchenit. E…