Komuna e Prishtinës: Mirëmbajtja e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ është obligim i FFK-së
Komuna e Prishtinës ka thënë se nuk është përgjegjëse për mirëmbajtjen e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Pasi gjendja e keqe e terrenit në stadiumin e kryeqytetit mori vëmendje mbrëmë në ndeshjen e Kosovës kundër Izraelit, Komuna e Prishtinës thotë se mirëmbajtja e stadiumit “është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës”.
“Të nderuar qytetarë, Gjatë ditës kanë qarkulluar informata të pasakta se mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” është në përgjegjësi të Kryeqytetit Prishtina, dhe se institucioni nuk është kujdesur për fushën e stadiumit. Ju informojmë se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit ‘Fadil Vokrri’ nuk është përgjegjësi e Kryeqytetit Prishtina, por është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës. Kjo përgjegjësi është e rregulluar me nenin 3, paragrafi 1.3. të Memorandumit të Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet Kryeqytetit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës me datën 30 dhjetor 2022”, thuhet në reagim.
Komuna thotë se po punon për ndërtimin e një stadiumi të ri në Prishtinë.
“Ne jemi të vetëdijshëm se stadiumi ‘Fadil Vokrri’ është i mbingarkuar me lojëra ndërkombëtare të klubeve dhe të Kombëtares së Kosovës dhe rrjedhimisht është në gjendje jo të mirë,prandaj Kryeqyteti bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës është duke punuar tash e sa kohë për ndërtimin e stadiumit të ri të Kryeqytetit”, thuhet në reagim.