Komuna e Prishtinës ndalon përdorimin e Doracakëve për Edukimin Seksual
“Kjo përmbajtje është jo vetëm e dëmshme, por edhe abuzuese me fëmijët”, ka thënë drejtoresha s Arsimit, Jehon Lushaku-Sadriu.
Drejtoresha e Arsimit e Komunës së Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu, ka njoftuar se të enjten ka marr vendim për ndalimin e përdorimit të Doracakëve ‘Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues’ për klasat 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Prishtinës.
Nëpërmjet një postimi në platformën sociale, Facebook, ajo ka bërë thirrje të gjitha komunave të marrin hapa dhe të “ndalojnë përdorimin e këtyre materialeve në shkollat e tyre”.
“Është e paprecedentë, se si ky pushtet po keqtrajton familjen kosovare. Është skandaloze se si Ministrja në pushtet në krye të të vetmit institucion përgjegjës për tekstet mësimore ka aprovuar dhe ka promovuar material me përmbajtje perverse”, ka shkruar ajo.
Këto tekste, sipas saj, në vend se të plasonin njohuri e diskutim bazik për edukimin seksual, kanë paraparë aktivitete në praktikë – “prekje me fëmijë nën moshën adekuate”.
adekuate”.
“Kjo përmbajtje është jo vetëm e dëmshme, por edhe abuzuese me fëmijët”.
Ndryshe deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se doracakët për edukatën seksuale, përmbajtja e të cilave u kritikua shumë, janë botuar në vitin 2023, derisa ka kërkuar përgjegjësi nga Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami i ka thënë pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje se me këta doracakë “keni prekë në familje” dhe “turpi nuk lahet me shpifje”.
“Përgjegjësi duhet t’i kërkohet Arbërie Nagavcit. Doracakët janë të botuar në vitin 2023. Kurrikula kërkon edukim seksual, por përmbajtja e doracakëve të Nagavcit flet për praktikim perverz”, ka shkruar Bajrami.
Përgjegjësinë kryesor këtu, sipas nënkryetares së LDK-së, “e mban Albin Kurti, i cili ende e mban në pozitë një ministre të tillë”.
“Keni prekë fëmijët, gjënë me të shtrenjtë që kemi, andaj shpifni se ju ka kapë panikë, qytetarët nuk ju falin për këtë. Jeni shpifsa, manipulanta dhe të pamoralshëm”, pohoi.
Edhe deputetja tjetër e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se këta doracakë janë bërë gjatë kohës së Qeverisë Kurti dhe jo në kohën e qeverisjes së LDK-së.
“Mbrëmë dhe sot, eksponentë të VV u munduan që ‘fajin’ për skandalin e doracakëve, t’ia hedhin LDK-së, më saktësisht Hykmete Bajramit. Kjo, natyrisht, nuk do të ishte hera e parë që për dështimet e tyre, t’ia lënë fajin tjetërkujt”, shkroi Kica-Xhelili në Facebook.
Ajo potencoi se kur i dështuan tentativat që të na shitnin tekstet për diçka tjetër, “filluan ta shesin fajtorin tjetërkund”, derisa publikoi datat kur doracakët janë publikuar në website të MASHT.
“Ta bëjmë të qartë, ne nuk jemi kundër edukimit seksual, social, kulturor etj, absolutisht, por jemi kundër përmbajtjeve të papërshtatura, pakontrolluara dhe skandaloze të doracakëve. Nga përkthime bukfale që nuk përshtasin as kontekst shoqëror, as ligjor e as politik, deri në aktivitete të palogjikshme për fëmijë të këtyre moshave”, shtoi.