Komuna e Prishtinës ndan 110 mijë euro për Elza Ujkanin që u lëndua nga rënia e kulmit të komunës
Kuvendi Komunal i Prishtinës me 36 vota për, asnjë kundër e ka miratuar propozim-vendimin për kompensimin e Elza Ujkanit, e cila ishte lënduar nga rënia e kulmit të objektit të komunë së re të kryeqytetit.
Ujkani do të kompensohet me 110 mijë euro për lëndimet e marra në këtë rast.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë këto mjete janë për shëndetin e Elzës.
“Ka të bëj rreth përmirësimit të shëndetit të zonjushës Ujkani e cila sot është me ne. Kështu që propozimi është për ta vazhduar shërimin”, ka thënë Rama.
Ndërsa shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka thënë se e përkrahin propozimin.
“Ashtu siç e ka potencuar kryetari, ku propozimi për paradhënie nuk e ndalon asnjë proces, çoftë të organeve të hetuesisë për gjetjen e fajtorit të rastit, e në një situate të tillë, ne e mbështesim dhe përkrahim ketë propozim”, ka thënë ai.
Edhe asamblistët e PDK-së i kanë dhënë mbështetje këtij propozimi. “Edhe ne si grup e përkrahim këtë ndihmë financiare, e cila do shkoj tek Elza Ujkani. Më e rëndësishme është që të bëhet sigurimi i kulmeve të objekteve të vjetra. Edhe banorët e lagjes ‘Ulpiana’ kanë kërkuar ndihmë për një kulm, pas një lëvizje të madhe. Andaj kërkojmë nga kryetari dhe organet të merren me rastet e tilla të mos përsëriten”, ka thënë asamblistja e PDK-së, Gresa Lahu. /EO