Komuna e Prishtinës nesër fillon punën me të gjithë punëtorët

17 maj 2020 | 08:49

Shërbimet për qytetarët në Komunën e Prishtinës nuk janë ndërprerë asnjë ditë edhe pas përhapjes së pandemisë COVID-19, por me staf të shkurtuar. E nga nesër të gjithë punëtorët e komunës do ta fillojnë punën intensivisht, përveç atyre mbi moshën 60 vjeç dhe grave shtatzëna.

Kështu ka njoftuar nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi.

“Në asnjë moment nuk i kemi ndërprerë shërbimet. Kanë funksionuar të gjitha. Kemi funksionuar me staf esencial dhe kemi reduktuar kur ka qenë situata më kritike. Po flasim për periudhën e muajit prill. Nga data 18 maj të gjithë punëtorët do të jenë në gatishmëri se do të fillojë vrulli i punës. Presim që të fillojnë të gjithë punëtorët, përveç atyre që janë mbi 60 vjeç dhe punëtoret shtatzëna”, ka thënë ai.

Nushi ka njoftuar se ofiqaria dhe tatimi në pronë kanë pasur mjaft punë, por ka treguar ai se përsëri nuk krijon të hyrat e planifikuara për vitin 2020.

“Çdo shërbim tjetër ka funksionuar. Ofiqaria ka pasur punë mjaft. Tatimi në pronë veç në ditët e fundit ka rritje të vizitave të qytetarëve. Edhe pse këtë vit nuk do ta kemi aq lehtë për të krijuar të hyrat që kemi planifikuar”, ka deklaruar ai për EO.

Mes të tjerash, Nushi ka njoftuar se komuna ka në përfundim pakon e dytë e cila ka për qëllim rimëkëmbjen ekonomike, me të cilin do t’u ndihmohet bizneseve dhe rasteve sociale.

“Masat lehtësuese do të vijnë në pakon e dytë. Jemi gati para përfundimit. Nuk do të jetë vetëm pako ekonomike, por edhe sociale. Do të kujdesemi për familjet në raste sociale. Deri para pandemisë kemi pasur 1 700 familje nën përkujdesje sociale, pas pandemisë janë shtuar edhe 1 mijë e 300 kërkesa për ndihmë sociale. Jemi duke tentuar ta rimëkëmbim ekonominë dhe bizneset në komunë. Por, shpresoj se edhe masat e qeverisë dhe komunës do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e bizneseve”, është shprehur nënkryetari i Prishtinës.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë…