Komuna e Prishtinës për herë të tretë radhazi në finale të Albanian ICT Awards
Komuna e Prishtinës kualifikohet për herë të tretë radhazi, në finalen e madhe të Albanian ICT Awards.
Në këtë edicion, komuna e Prishtinës merr pjesë me tri projekte, në dy kategori: Shërbimi Publik më i mirë i vitit dhe Mobiliteti i vitit.
Në kategorinë Shërbimi Publik më i mirë, në vitin 2016 komuna e Prishtinës fitoi çmimin e parë me projektin “E-Kiosku”, kurse në vitin 2017 garoi në finale me projektin Platforma Digjitale për Participim Publik.
“Është hera e parë që një institucion publik për tre vite radhazi vlerësohet maksimalisht për shërbimet që ia ofron qytetarëve të vet. Kualifikimi në finale edhe këtë herë, mes tre të nominuarve, tregon vazhdimësinë në përkushtimin për të ofruar shërbime sa më kualitative për qytetarët. Gala mbrëmja e Edicionit të gjashtë të Albanian ICT Awards organizohet sonte, në Hotel Tirana International në Tiranë”, është thënë në njoftimin e komunës së Prishtinës.
/Epoka e re/