Komuna e Prishtinës: S’bëjmë kompromis me sigurinë e nxënësve të gjimnazit “Ahmet Gashi”
Komuna e Prishtinës pas raportimeve të medien medieve për ngjarjet lidhur me Gjimnazin “Ahmet Gashi”, ka bërë njoftuar opinionin publike për të gjitha veprimet që janë marrë nga ana e kësaj komune lidhur me këtë temë.
Kjo komunë ka theksuar se vendimi për dislokimin e përkohshëm të nxënësve nga kjo shkollë është marrë në muajin qershor, mbi raportin e vlerësimit të stabilitetit të ndërtesës, i cili tregon se objekti nuk i plotëson kushtet teknike, statike e seizmike për vazhdimin e mësimit aty dhe se paraqet rrezik potencial për shembje, marrë parasysh se ka dëmtime të thella në shtyllat mbajtëse dhe themelet e shkollës.
“Paraprakisht është organizuar takimi me tre drejtorët e shkollave ‘Ahmet Gashi’, ‘Emin Duraku’ e ‘Sami Frashëri’ në mënyrë që të krijohen dhe koordinohen kushtet për punë pa pengesa, për nxënësit dhe mësimdhënësit. Në atë takim, të gjithë janë dakorduar që dislokimi i nxënësve të fillojë më 2 shtator 2019. Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të shkollës, me datën 17 korrik, është diskutuar vendimi i Komunës për dislokim, dhe informata është përcjellë tek të gjithë pjesëmarrësit”, është thënë në njoftimin e Komunës së Prishtinës.
Sipas këtij njoftimi, përkundër pretendimeve se askush nuk është takuar me protestuesit, të enjten, pas protestës para ndërtesës së Komunës së Prishtinës, kryetari Shpend Ahmeti bashkë me drejtoreshën e Arsimit, Shpresa Shala kanë takuar edhe përfaqësuesit e nxënësve, mësimdhënësve dhe drejtorin e Gjimnazit “Ahmet Gashi”.
“Në takim është diskutuar dhe sqaruar situata e krijuar. Po ashtu, u dakorduan se do të bëhet rivlerësimi i stabilitetit të objektit, i cili do të ndihmojë të vendoset nëse objekti ka nevojë për renovim të tërësishëm apo rindërtim nga e para. Për më tepër, drejtoresha e Arsimit, Shpresa Shala mbajti konferencë para të gjitha mediet, të cilat për fat të keq, nuk arritën të e raportojnë dhe informojnë drejt dhe qartë këtë temë, duke i dhënë një kahe krejtësisht të gabueshme në publik. Përfundimisht, zhvendosja e nxënësve bëhet menjëherë. Nuk bëjmë kompromise me sigurinë e jetës së fëmijëve tanë!”, ka njoftuar kjo komunë.
/Epoka e re/