Komuna e Prishtinës shënon ditën e çlirimit (Foto)
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur të hënën një seancë solemne për të shënuar kështu 19-vjetorin e çlirimit të kryeqytetit.
Të pranishëm në këtë seancë kanë qenë drejtuesit e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, asaj të Veteranëve të Luftës të UÇK-së, si dhe Organizatës së Invalidëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, si dhe kryetari i OVL-UÇK-së në Prishtinë, Fatmir Sopi, kanë mbajtur një fjalë rasti në këtë seancë solemne, me ç’rast ata kanë ritheksuar rëndësinë e luftës çlirimtare që ka ndodhur në Kosovë, luftë kjo që ishte kulmi i angazhimit politik të shumë gjeneratave për shumë dekada.
Pas seancës solemne, delegacioni i përbërë nga përfaqësues të ekzekutivit, Kuvendit Komunal si dhe organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, si dhe tek shtatorja e heroit të kombit, Zahir Pajazitit.
Ata kanë thënë se datat si 11 Qershori, i bëjnë të reflektojmë në punën e tyre të përditshme, në mënyrë që të mos e devijojmë rrugën të cilën e kanë trasuar dëshmorët, atë për liri e bashkim.