Komuna e Prishtinës, thirrje qytetarëve: Edhe pak kohë rrini në shtëpi
Komuna e Prishtinës sot u ka bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19. Në një shkrim në “Facebook”, Komuna e Prishtinës shkruan se, pas lehtësimit të masave, janë rritur rastet me COVID-19.
“Pas javës së parë të lehtësimit të masave, jemi dëshmitarë të rritjes sadopak të numrit të rasteve me #covid19. E kjo na rikujton se duhet të vazhdojmë që t’i zbatojmë me kujdes të gjitha masat mbrojtëse sipas udhëzimeve të IKShP-së. Edhe pak kohë vazhdo #rriNshpi që shumë shpejt të dalim e ta shijojmë pranverën plot diell në Prishtinë”, ka shkruar Komuna e Prishtinës.
Vetëm mbrëmë janë konfirmuar 11 raste pozitive me COVID-19 në Kosovë.
Rastet pozitive të cilat u konfirmuan mbrëmjen e së hënës janë nga Vushtrria, Prizreni, Prishtina, Ferizaj.
Deri tani janë konfirmuar 895 raste, nga ta janë shëruar 657 persona, kurse kanë vdekur 28.