Komuna e Prizrenit dhe Caritas-i zviceran ndihmojnë kultivuesit e mjaltit
Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me Caritas-in zviceran ka bërë shpërndarjen e mjeteve të punës për prodhimin e mjaltit për 16 bletarë përfitues nga projekti “Prosperiteti i prodhimtarisë agrare në Kosovë nga investimet e qëndrueshme rurale-Pasuri”.
Përfituesit kanë participuar me 15 për qind në ndarjen e granteve, ndërsa Caritas-i zviceran dhe Komuna e Prizrenit kanë participuar me 50 për qind, përkatësisht 35 për qind të shumës së përgjithshme.
Mjetet e shpërndara të enjten ku ka marrë pjesë edhe kryetari Mytaher Haskuka, janë vetëm një pjesë e mbështetjes për fermerët nga ky projekt, pasi kosheret me shoqëri të bletëve dhe disa mjete të tjera shtesë do të ndahen gjatë javës në bletishtet e përfituesve, ku më pas edhe do të testohen dhe do të ofrohen trajnime se si të përdoren ato.
Nga ky projekt, që është implementuar nga Caritas-i dhe është mbështetur nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përveç 16 bletarëve janë përfitues edhe dy fermerë për kultivimin e boronicës dhe dy të tjerë për kultivimin e bimëve mjekuese.
/Epoka e re/