Komuna e Prizrenit fal obligimet për biznese që janë krijuar nga taksat e ndryshme
Drejtoresha e Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa, Leonora Çerreti, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka njoftuar në lidhje me vendimin për faljen e një pjese të obligimeve të krijuara për taksa komunale për biznese, taksa për shfrytëzimin e pronës komunale dhe hapësirave publike.
Drejtoresha Çerreti ka bërë me dije se Komuna e Prizrenit, gjatë vitit të kaluar në vazhdimësi është munduar që të jetë pranë qytetarëve dhe bizneseve të prekur nga pandemia, si me lirimin e taksës komunale të shfrytëzuesve të hapësirave publike, përfshirë tavolinat, karriget, parkingjet, tregjet, kiosqet e barakat, ashtu edhe me subvencionimin e rreth 1000 bizneseve të prekur nga pandemia.
Me këtë rast, ajo ka theksuar se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti, ku njoftoi për vendimin që është marrë për llogaritë e arkëtueshme, ku hyjnë kategoritë e autoparkingjeve, barakave, tregjeve, tezgave, tavolinave, karrigeve, reklamave, e lokaleve që ngarkohen nga Komuna.
“Në nëntor të vitit të kaluar ne si ekzekutiv komunal me mbështetje të Asamblesë Komunale kemi marrë vendim për lirimin e një pjese të konsiderueshme të obligimeve që janë mbledhur në Komunë. Sipas këtij vendimi do të bëhet falja e rreth 30 për qind të obligimeve për veprimtaritë afariste dhe 60 për qind e obligimeve për shfrytëzuesit e hapësirës publike”, është shprehur Çerreti.
Drejtoresha Çerreti ka treguar se në bashkëpunim me tri drejtoritë tjera, përkatësisht Drejtorinë për Shërbime Publike, Administratë, dhe Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, janë finalizuar të gjitha listat e përfituesve të këtij vendimi. Sipas kësaj analize nga kjo falje do të përfitojnë në total 6565 biznese, me një vlerë të falur në gjithsej prej 7,650,593 euro.